Rama: Shteti nuk është agjenci turistike e Vetëvendosjes, kjo është hajni
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka kundërshtuar ashpër vendimin e Qeverisë në detyrë që në prag të zgjedhjeve të ndahen 2 milion eurove për linjat ajrore përmes të cilave udhëtojnë mërgimtarët.
Ai ka vlerësuar se kjo nuk është as politikë sociale as përkrahje për diasporën.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se kjo është kapje brutale e shtetit për interesa partiake.
“Kjo nuk është as politikë sociale as përkrahje për diasporën, kjo është kapje brutale e shtetit për interesa partiake. Kjo është hajni! Të shpenzosh miliona nga buxheti i Kosovës për të financuar ardhjen e individëve vetëm që të votojnë për një parti, është një akt i pastër abuzimi me paranë publike dhe një fyerje e rëndë për çdo qytetar që jeton, punon dhe paguan taksa në Kosovë. Ndërkohë që qytetarët përballen me varfëri, mungesë barnash, paga të ulëta, çmime të papërballueshme dhe ikje masive të rinisë, pushteti zgjedh që paratë e taksapaguesve ti shfrytëzojë për kalkulime elektorale”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Ky është degradim moral dhe institucional i shtetit! Buxheti i shtetit nuk është pronë private e askujt. Kush përdor paranë e qytetarëve për interesa elektorale, nuk po i shërben demokracisë po e shkatërron atë, po e kthen ne autokraci. Ky është momenti kur qytetarët duhet të reagojnë fuqishëm kundër arrogancës së pushtetit dhe kundër çdo tentimi për ta kthyer shtetin në makineri partiake. Demokracia nuk mbahet me bileta avioni të paguara nga taksat e popullit, por me përgjegjësi, drejtësi, zhvillim dhe respekt ndaj qytetarit”, ka shkruar ai.