Rama: Institucionalizuam miqësinë me ShBA-në, 4 Korriku shpallet “Dita e Miqësisë Amerikane” në Prishtinë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se 4 Korriku është shpallur zyrtarisht “Dita e Miqësisë Amerikane në Prishtinë”, duke e cilësuar këtë si një akt institucional që dëshmon mirënjohjen e kryeqytetit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas Ramës, me këtë vendim institucionalizohet një miqësi që, siç u shpreh ai, qëndron mbi ciklet politike, mandatet dhe ndryshimet e qeverisjes. Ai theksoi se partneriteti strategjik me SHBA-në është i panegociueshëm dhe mbetet një nga shtyllat kryesore të orientimit të Kosovës.
Rama vlerësoi se aleanca me Shtetet e Bashkuara ka qenë vendimtare për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës, duke shtuar se ajo vazhdon të jetë thelbësore edhe për të ardhmen euroatlantike të vendit.