“Qysh mundet ky njeri më qëndru aq i ftohtë?”: Mehmetaj shokohet nga kryeshefi i Trepçës pas mbledhjes me minatorët
Minatorët e Trepçës kërkuan pagat e tyre që s’i kanë marrë qe dy muaj ndërsa kryshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Trepçka”, Bashkim Kurti, u kërkoi të kthehen në punë duke u servuar fraza boshe.
Gazetari Lirim Mehmetaj, u shpreh i shokuar nga, siç tha ai, “ftohtësia dhe indiferenca” e kryeshefit të Trepçës.
Postimi i Mehmetajt:
Diçka më të dhimbshme moti s’kam pa
Minatori i shkretë, po i zotohet në tre fëmijët e tij se për shkak të mungesës së rrogës qysh nga muaji maj, ai ka sharruar në borxhe dhe është mbështetur për muri.
Po betohet që s’ka më opsione, se edhe rrogën që do e marrë do e ktheji për borxh.
Vetëm paramendojeni me i pas tre fëmijë në shtëpi, me ardhë në punë të asaj natyre ku rrezikohet jeta çdo ditë edhe në fund me të thanë s’ka rrogë këtë muaj, s’ka as tjetrin dhe nuk e di as kur do të ketë, ama dilni me punu.
Derisa punëtorët, shumica me lotë n’sy, kërkojshin thjesht pagën e vet, ky tipi këtu në foto, kryeshef i Trepçës, Bashkim Kurti, iu thojke “kthenju punës edhe u kry muhabeti”.
Edhe në fund iu tha “mos i ekzagjeroni senet se nuk jeni në qatë ekstrem”, a rroga s’kish dal qe 2 muaj e as nuk u premtojke një ditë kur do të dal.
Për mua është krejt e pashpjegueshme qysh është e mundur me i pa burrat ka dy metra t’u qajt prej halli edhe t’u kërku kurgjo ma shumë se pagën, edhe me qëndru me asi ftohtësie, asi indiference.
Pse more minatorëve kështu, çka leshi iu kanë bo minatorët?