QUINT sërish “të shqetësuar”, i kërkojnë Kurtit “të shtyjë” vendimin për ndalim të dinarit: Duhet periudhë më e gjatë kohore
Pesë shtetet e QUINT-it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia – kanë kërkuar “pezullimin” e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar valutën serbe (dinarin) në zonat e banuara me shumicë serbe nga 1 shkurti, për çka janë shprehur “të shqetësuar në lidhje me ndikimin” që një vendim i tillë do të ketë te komuniteti serb.
QUINT përmes një komunikate të përbashkët të botuar në uebsajtet zyrtare të ambasadave të shteteve, kërkojnë suspendimin momental të vendimit “për të lejuar një periudhë të mjaftueshnme kalimtare dhe për komunik të qartë dhe efektiv me publikun”.
Reagimi i QUINT-it:
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara theksojnë se rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës (BKK) për operacionet me para të gatshme, e cila synon të reduktojë paratë e falsifikuara, të ruajë stabilitetin financiar, si dhe të rrisë transparenca e flukseve të parasë në Kosovë, megjithatë ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe.
Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia.
Pas një shkëmbimi për këtë çështje me Kryeministrin të premten, Kuinti kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik. Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar të BE-së.