Qalaj i PDK-së: Masa e qortimit për targa është e butë dhe konfuze, secili polic e ka të vështirë ta zbatoj - NACIONALE

Qalaj i PDK-së: Masa e qortimit për targa është e butë dhe konfuze, secili polic e ka të vështirë ta zbatoj

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish drejtori i Policisë së Kosovës, tashmë deputet i PDK-së, Rashit Qalaj mendon se masa e qortimit për çështjen e targave është masë “e butë” prandaj nuk ka reagime nga komuniteti serb.

“Jemi në fazën e parë që është ajo e qortimeve dhe është një masë mjaftë e butë dhe për atë nuk kemi ndonjë reagim nga komuniteti atje. Por, për mua është mjaftë e çuditshme kjo çështja e qortimeve pasi po flasim për çështje me ligje të Kosovës”, tha Qalaj në Klan Kosova.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, thotë se ky vendim qeveritar është shumë konfuz dhe kjo e vështirëson secilin polic të zbatojë të këtë vendim

“Kemi afat 21 ditë dhe i njëjti polic mund që për 21 ditë ta qortojë të njëjtin person dhe nëse kjo mbetet vetëm qortim e qortim për 21 ditë nuk e di ku është esenca e saj. Qortimet juridikisht nuk kanë ndonjë pasojë por mbase psikologjikisht ka ndonjë ndikim se ata duhet t’i ndërrojnë targat – mirëpo juridikisht nuk ka. Çështja e gjobitjes është prapë këtu në aspektin legal pasi unë nuk e di pasi vendimi që ka dërguar qeveria është konfuz pasi ka disa pika që edhe polici që është në terren e ka të vështirë ta implementojë”, thotë deputeti opozitar.

Kujtojmë se nga sot Policia e Kosovës e ka filluar zbatimin e vendimit të ri të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale. Si pjesë e këtij vendimi është edhe masa e qortimit. Një fletëqortim i tillë është lëshuar mbrëmë, pak orë pas hyjres në fuqi të vendimit. Për 21 ditë do të ketë vetëm qortim.

Lajme të ngjashme