Putini njofton armëpushim të përkohshëm për Pashkët Ortodokse, e pret të njëjtën nga Ukraina - NACIONALE

Putini njofton armëpushim të përkohshëm për Pashkët Ortodokse, e pret të njëjtën nga Ukraina

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të enjten njoftoi armëpushim për dy ditë për nder të Pashkëve Ortodokse dhe pret që pala ukrainase ta bëjë të njëjtën gjë, tha Kremlini.

“Në lidhje me festën që po afrohet, Pashkët Ortodokse, një armëpushim shpallet nga ora 16:00 e 11 prillit deri në fund të ditës së 12 prillit” – thuhet në njoftimin e Kremlinit, raporton agjencia “Reuters”.

“Ne vazhdojmë mbi bazën që pala ukrainase do ta ndjekë shembullin e Federatës Ruse” – thuhet më tej.

Në njoftim thuhet se ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Andri Belousov, i kishte lëshuar një urdhër komandantit të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, “që t’i ndalë veprimet ushtarake në të gjitha drejtimet për këtë periudhë”.

“Trupat do të jenë të gatshme për t’i eliminuar të gjitha provokimet e mundshme nga armiku si dhe çfarëdo veprimi agresiv” – thuhet në njoftim.

Nuk pati reagim të menjëhershëm nga Ukraina.

Për më shumë se një javë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka propozuar armëpushim për Pashkë dhe, duke i përmendur sulmet ajrore ndaj qyteteve ukrainase, tha se Moska është përgjigjur me dronë.

Sipas kalendarit të besimit ortodoks, fe mbizotëruese në Rusi e Ukrainë, Pashkët këtë vit janë më 12 prill./Nacionale

Lajme të ngjashme