Putini flet me Raisin për thellimin e lidhjeve Iran-Rusi
Në një deklaratë të lëshuar sot, Kremlini ka bërë të ditur se presidenti rus Vladimir Putin ka folur me presidentin iranian Ebrahim Raisi, duke vënë theksin në thellimin e bashkëpunimit politik, tregtar dhe ekonomik.
"U diskutuan një sërë çështjesh aktuale në axhendën dypalëshe, me theksin në rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit në fushat politike, tregtare dhe ekonomike, duke përfshirë sektorin e transportit dhe logjistikës," thuhej në deklaratën e Kremlinit.
Megjithatë, në deklaratë nuk është konfirmuar koha e bisedës dhe nuk janë përmendur furnizimet iraniane të armëve në Moskë.
Kujtojmë se, që nga pushtimi i Ukrainës në shurt, Rusia ka rritur përpjekjet e saj për të ndërtuar lidhje me Iranin dhe vende të tjera joperëndimore.
Edhe ditën e mërkurë, u raportua se një zyrtar i lartë rus i sigurisë ka takuar udhëheqësit iranianë në Teheran, ku të dy vendet janë zotuar për lidhje më të ngushta.
Vizita u zhvillua pas akuzave nga Ukraina dhe Perëndimi se Rusia ka përdorur dronët iranianë për të synuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës.
