Putin: Rusisë mund t’i duhet të bëjë marrëveshje për Ukrainën, por ndihet e tradhtuar
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia, me gjasë, do të duhet të bëjë marrëveshje në lidhje me Ukrainën në të ardhmen, por se vendi i tij ndihet i tradhtuar nga dështimi i marrëveshjeve të Minskut.
Putini tha se Gjermania dhe Franca – të cilat kishin ndërmjetësuar për marrëveshjet e armëpushimit në kryeqytetin Bjellorus mes Ukrainës dhe separatistëve të përkrahur nga Rusia në lindje të Ukrainës më 2014 e 2015 – e kanë tradhtuar Rusinë dhe tash po e furnizojnë Ukrainën me armë.
Në një intervistë të publikuar të mërkurën në revistën gjermane, “Zeit”, ish-kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, tha se marrëveshjet e Minskut kanë qenë përpjekje për t’i dhënë kohë Ukrainës për ta fuqizuar aftësinë e vet mbrojtëse.
Duke folur të premten në një konferencë për gazetarë në Kirgizi, presidenti rus tha se është i zhgënjyer nga komentet e Merkelit, raporton agjencia “Reuters”, përcjell Nacionale.