Putin në takim me nënat e ushtarëve rusë që luftojnë në Ukrainë
Këtë fundjavë Rusia do të festojë Ditën e Nënës, e presidenti i vendit do të zhvillojë një takim me nënat e ushtarëve rusë që luftojnë në Ukrainë.
Ky takim është konfirmuar nga gazeta Vedomosti, e më pas edhe nga Kremlini.
“Në të vërtetë, një takim i tillë është planifikuar, ne mund ta konfirmojmë”, ka thënë një zëdhënës i Kremlinit për gazetarët, raporton The Independent.
Më pas, zëdhënësi kishte shtuar se: “Presidenti mban shpesh takime të tilla, nuk janë të gjitha publike. Në çdo rast, presidenti merr informacion të dorës së parë për gjendjen reale të punëve.”
Kujtojmë se, sipas Shteteve të Bashkuara, lufta në Ukrainë ka lënë të vrarë dhe plagosur mijëra ushtarë nga të dyja palët.
Në vijën e fronit janë dërguar qindra mijëra ushtarë rusë, përfshirë edhe 300 mijë rezervistë të thirrur si pjesë e një mobilizimi të shpallur nga Putin.
Megjithatë, Putin ende nuk ka komentuar publikisht për humbjet e fundit që Moska ka pësuar.
