Putin: Bota po përballet me dekadën më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore
Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë të enjten se bota është duke u përballur me “dekadën më të rrezikshme” që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
“Bota unipolare është një gjë e së kaluarës. Jemi në një kufi historik. Përpara është dekada më e rrezikshme, e paparashikueshme dhe në të njëjtën kohë e rëndësishme që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Putin.
Presindeti rus gjithashtu ka folur për konfliktin e vazhdueshëm në Ukrainë, duke thënë se ajo që po ndodh ishte e pashmangshme dhe duke fajësuar Perëndimin për krijimin e kësaj krize.
“Ndryshimet në Ukrainë nuk filluan me fillimin e një operacioni special ushtarak. Këto ndryshime kanë vazhduar për shumë vite. Ndryshimi tektonik në rendin botëror ka vazhduar për shumë vite”, tha Putin, duke shtuar se “zgjerimi i NATO-s me Ukrainën, i cili ishte krejtësisht i papranueshëm për ne, dhe të gjithë e dinin këtë dhe e injoruan.”
Më tej, Putin tha se, “rusët dhe ukrainasit janë historikisht një popull. Është pothuajse si një luftë civile që po ndodh tani.”
Ai e përfundoi fjalimin e tij duke thënë se situata aktuale në mbarë botën ka "parakushtet për një revolucion".
Ndërsa, më herët në fjalimin e tij Putin theksoi nevojën për të përmirësuar marrëdhëniet me vendet perëndimore, duke shtuar se Moska “asnjëherë nuk e ka konsideruar dhe nuk e konsideron veten armike të Perëndimit”.
