Punësimi i një anëtari për familje, kryesindikalisti Azemi: Vendimi i Kurtit është qesharak - NACIONALE

Punësimi i një anëtari për familje, kryesindikalisti Azemi: Vendimi i Kurtit është qesharak

4 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të shtunën njoftoi për skemën e re të mbështetjes përmes së cilës ai po synon përkrahjen e familjeve që kanë së paku një anëtar të punësuar. Njoftimi që shefi i ekzekutivit e bëri përmes një video mesazhi, ishte goxha i pakuptueshëm, pasi që ai nuk bëri të ditur as sektorin se ku po mendon t’i punësojë këta persona.

Ani se 300 euro nuk mbulojnë as nevojat elementare të një familje në Republikën e Kosovës, ku ka pasur rritje të madhe të çmimeve, kryeministri po planifikon që kaq para t’ua ndajë personave që do të punësohen për vetëm gjashtë muaj.

Kryeministri Kurti nuk e bëri të ditur as sektorin se ku do t’i punësojë ata.

Sektori privat e konsideron vendim “qesharak”

Gazeta Nacionale ka biseduar me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, lidhur me këtë çështje, i cili vendimin e Qeverisë Kurti, po e konsideron si “qesharak” dhe “joserioz”.

“Kryeministri Kurti ato që i ka thënë deri më tani, nuk i ka realizuar. Ai ka mbetur thatë me oferta, dhe e ka propozuar këtë. Kjo ka qenë propozim edhe i ministrit Hekuran Murati para disa muajve, kjo më tepër për mua është diçka qesharake, sa serioze, kryeministri nuk po merret me punëtorët e sektorit privat”, ka thënë ai.

Jusufi tutje për gazetën Nacionale ka thënë se ka familje të cilat përfitojnë nga skemat sociale, por që kanë të punësuar që nuk janë të regjistruar në Administratën Tatimore të Kosovës.

“Përderisa premton pagë 300 euro, le të shkon te disa kompani ku punëtorët paguhen 130 euro për 40 orë. Këto janë propaganda të hapura. Ne kemi familje të cilat marrin raste sociale, e punojnë edhe nëpër kompani private. Për t’i ikur asaj që nuk deklarohen si të regjistruar në ATK, sepse punojnë në kompani private, marrin edhe raste sociale”, ka thënë ai.

Mbi 25 mijë familje përfituese të ndihmës sociale

Të drejtën për ndihmë sociale në kategorinë e parë, e realizon familja e cila nuk ka asnjë anëtar të punësuar.

Pagesa varet nga numri i anëtarëve të familjes, nga një person që përfiton 60 euro në muaj, deri te familja me pesëmbëdhjetë anëtarë, e cila përfiton 180 euro në muaj.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, janë 25 mijë e 482 familje që përfitojnë nga skema e ndihmës sociale.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e tij në vazhdimësi kanë deklaruar se janë hapur vende të reja të punës. Sipas Qeverisë, gjatë periudhës shtator 2020 – shtator 2021, “janë regjistruar mbi 25 mijë vende të reja të punës”.

Këtë konstatim, Kurti e përmend thuajse çdo ditë, e madje e konsideron edhe si sukses të qeverisjes së tij, ani se asnjëherë nuk është vërtetuar se ajo që e thotë, qëndron.

Ndaj deklaratave të Kurtit, shpesh kanë reaguar edhe njohësit e çështjeve ekonomike, duke i quajtur “të pavërteta”.

Ekonomisti Mustafë Kadrijaj, në një prononcim për Gazetën Nacionale kishte thënë se nuk ka shtim real të punësimit, pasi që ka rënie të numrit të të punësuarëve.

“Shtim real të punësimit nuk ka, sepse faktorët që ndikojnë në punësim kanë tregues tjerë. Nuk kemi investime nga ana e qeverisë, aktiviteti ekonomik ka rënie, sektori i ndërtimtarisë ka rënie, sepse janë rritur kostot e prodhimit të cilat kanë ndikuar në reduktimin e fuqisë punëtore. Gjithashtu edhe sektori i afarizmit dhe tregtisë ka rënie si dy sektorë që ngërthejnë në vetvete një numër të madh të fuqisë punëtorë. Po ashtu, nuk mund të kemi rritje të punësimit derisa kemi rënie të mirëqenies tek qytetarët. Duhet të ketë të qartë kryeministri t'i thirrë dhe të këndellet sepse punësimi është derivat i investimeve, pra, nuk mund të kemi punësim pa investime”, kishte thënë ai./Nacionale.com/