Publikohet deklarata e Samitit në Tiranë, dënohet agresioni rus mbi Ukrainën
Samiti Ukrainë - Europa Juglindore që është mbajtur sot në Tiranë ka publikuar deklaratën e përbashkët.
Në deklaratën, e cila përbehet prej 12 pikave, dënohet ashpër agresioni rus mbi Ukrainën.
Sipas pjesëmarrësve të këtij takimi, agresioni rus është i papranueshëm dhe shkelje e të drejtës ndërkombëtare.
“1. Agresioni i paprecedentë ushtarak i Rusisë kundrejt Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh ndaj sigurisë europiane dhe paqes ndërkombëtare. Ky akt agresioni është i papranueshëm; është një dhunim flagrant i ligjit ndërkombëtar, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe një krim ndaj popullit ukrainas”, thuhet në pikën e parë të deklaratës.
Më tej, pjesëmarrësit e samitit e kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur Ukrainën.
“2. Ne ritheksuam mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1991 dhe mbetemi të përkushtuar për të ndihmuar Ukrainën me mbështetjen e nevojshme që të fitojë mbi luftën e agresionit rus për sa kohë të jetë e nevojshme që të arrijmë një paqe të plotë, të drejtë dhe të gjatë në përputhje me Kombet e Bashkuara dhe të bazuar në Formulën ukrainase të Paqes”, është thënë në deklaratë, raporton TVKlan.