Publikohen pamjet nga aksioni: Arrestohen tre persona në Prizren, dyshohen për fajde - NACIONALE

Publikohen pamjet nga aksioni: Arrestohen tre persona në Prizren, dyshohen për fajde

1 ditë më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar një operacion policor, gjatë të cilit janë arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale të fajdesë.

Operacioni është zhvilluar më 18 gusht 2026 nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.

Të arrestuarit janë B. S., F. S. dhe A. D.

Sipas Policisë dhe Prokurorisë, B. S., përveç fajdesë, dyshohet edhe për veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “aksident trafiku me lëndime”.

Gjatë tentimit për t’iu shmangur arrestimit, B. S. dyshohet se ka goditur me veturë një zyrtar policor dhe një qytetare, duke i lënduar të dy.

Sipas autoriteteve, të dyshuarit në vazhdimësi kanë ushtruar presion ndaj viktimës, me qëllim të përfitimit të interesit nga veprimtaria e fajdesë. Ata dyshohet se e kanë detyruar viktimën të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Gjatë operacionit janë kontrolluar tri lokacione në komunën e Prizrenit, ku janë sekuestruar dëshmi të ndryshme materiale që pritet të përdoren në procedurën penale.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

Të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lajme të ngjashme