PSD-ja ia dërgon ambasadës gjermane “faturën e shfrytëzimit”
Në Ditën e Evropës, Partia Socialdemokrate(PSD) ka mbajtur një aksion simbolik para Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.
Me këtë rast, aktivisti i kësaj partie Zgjim Hyseni ka kritikuar shtetin gjerman që po ia merr mjekët Kosovës.
Sipas tij, ky shtet po eksporton mallra, e po importon njerëz.
“Sot, për ditën e Evropës kemi ardh me urua Gjermaninë. Gjermania po eksporton mallra, e po importon njerëz. Mjekët po i marrin falas. Vetëm në katër muajt e fundit të këtij viti, kanë ikur 91 mjekë, të cilët po të shkolloheshin në Gjermani do të kushtonin 200 mijë euro. Po t’i llogarisim edhe 300 infermierë, që do të kushtonin nga 30 mijë euro. Pra, vetëm këtë vit ne ja kemi dhënë Gjermanisë 27 milionë euro”, ka thënë Hyseni.
Ai ka shprehur brengen e tij se në këtë mënyrë Kosova rrezikon të mbetet pa mjekë.
“Kjo i bie që ne e subvencionojmë Gjermaninë. Oda e Mjekëve ka paralajmëruar që brenda 3-4 viteve të ardhshme, Kosova do të mbesë pa mjekë. Kjo marrëdhënie e pabarabartë nuk është asgjë tjetër përveç shfrytëzim”, ka thënë Hyseni.