Protestuesit në Shqipëri kërkojnë që të rikthehen plazhet publike
Një grup aktivistësh kanë protestuar sot në Golem për zaptimin e plazheve publike.
Pakënaqësia e grumbulluar prej kohësh bëri që përveç organizatorëve, protestës t’i bashkoheshin me dhjetëra qytetarë.
“Protestën e pamë rastësisht dhe iu bashkuam pa ngurrim. Është një kauzë shumë e drejtë dhe duhet t’i bashkohen më shumë qytetarë. Çmimet janë të shtrenjta, plazhet publike janë të pamjaftueshme dhe kur ne vendosim çadrat në plazhe publike dhe i lëmë aty, policia vjen dhe na i heq gjatë natës,” – u shpreh një protestues.
Protestuesit kanë kërkuar që plazhi publik të iu kthehet qytetarëve jo bizneseve private.
“Plazhi publik i vendosur në dispozicion për ne, zaptohet nga privati se vijnë dhe vendosin çadra të thjeshta dhe më pas dhe aty kërkojnë nga 100 lekë. Është plazh publik, jam pensioniste dhe i kam paguar 40 vite shtetit taksa. Kam blerë shtëpi këtu dhe të mos kem mundësi të bëj plazh, është e turpshme.” – tha një tjetër.
Edhe pse këtë sezon kontrollet për zëniet e paligjshme të plazheve kanë qenë të shpeshta, problemi mbetet i njëjt si në vitet paraprake.