Vrasja në lokalin "Kobra City", Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj “Kobrës” dhe katër të tjerëve
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë me dije se ka ngritur aktakuzë ndaj Dibran Hoxha dhe katër të tjerave, të cilët dyshohen për një vrasje në Prizren që ka ndodhur vitin e kaluar.
Në njoftimin e prokurorisë është thënë se Hoxha, i njohur si “Kobra”, Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
“Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër pesë (5) të pandehurve me inicialet D.H., R.S., A.V., B.M dhe J.B. Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri D.H., akuzohet për veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’ nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe 1.8 të KPRK-së, si dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, është thënë në njoftimin e prokurorisë, duke përmednur edhe veprat tjera për të cilat dyshohen personat në fjalë.
“Të pandehurit R.S dhe B.M. akuzohen për veprën penale ‘’Manipulimi me prova’’ nga neni 389 paragrafi 1 i KPRK-së. Ndërkaq, të pandehurit R.S, J.B dhe A.V. akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘’Pjesëmarrja në rrahje’’ nga neni 187 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Po ashtu, të pandehurit R.S dhe J.B akuzohen se e kanë kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, është thënë njoftim.
Më 3 janarit të vitit 2023, në lokalin “Kobra City” në Prizren, ishte vrarë 31 vjeçari nga Kukësi, Visart Cengu, ndërsa shoku i tij kishte mbetur i plagosur.