Prokuroria Speciale: I arrestuari në Jarinje është i nacionalitetit serb, dyshohet për “Krime lufte kundër popullsisë civile”
Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. I arrestuari, D.R., shtetas i nacionalitetit serb, dyshohet për përfshirje në krime të luftës ndaj popullsisë civile gjatë vitit 1999 në regjionin e Gjakovës.
Sipas Prokurorisë, ai është ndaluar për 48 orë dhe ndodhet nën masën e arrestit të përkohshëm.
Brenda këtij afati, i dyshuari pritet të dalë para gjykatës për procedurat e mëtejshme ligjore.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se sot ka ndaluar D.R, i nacionalitetit serb për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 të Ligjit Penal të ish- Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.
Hetimet preliminare tregojnë se i dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, në vitin 1999 ka kryer krime të luftës ndaj popullsisë civile në regjionin e Gjakovës.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit të përkohshëm dhe ndalimit për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të dërgohet para Gjyqtarit të procedurës paraprake, për procedurë të mëtutjeshme.” – thuhet në njoftim.