Prokuroria propozon dënim me burg për të miturin që dyshohet rreth vrasjes së policit Muhamet Lika
Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur ka propozuar shqiptimin e dënimit me burgim ndaj të miturit në lidhje me rastin e vrasjes së zyrtarit policor Muhamed Lika në Kaçanik.
Ngjarja ka ndodhur më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik, në një objekt banesor. Sipas Prokurorisë, i mituri, në bashkëkryerje me të pandehur të tjerë, me qëllim dhe përgatitje paraprake, ka privuar nga jeta zyrtarin policor M.L.
Viktima, në përfundim të ndërrimit të tij, ishte nisur për në banesë, ndërsa ishte përcjellë nga i mituri dhe të pandehurit. Pasi kishte hyrë në ndërtesën banesore dhe ishte duke u ngjitur shkallëve, i mituri e kishte ndjekur nga pas dhe kishte shtënë katër herë me armë zjarri të kalibrit 9.19 mm në drejtim të tij. E gjithë ngjarja kishte ndodhur brenda një periudhe kohore prej rreth 47 sekondash.
Pas të shtënave, i mituri kishte vrapuar në drejtim të lokalit “Dukagjini”, ku ishte takuar me të pandehurin R.M., që po e priste jashtë. Më pas, të dy ishin larguar në drejtim të rrugës “Mejdi Dalloshi”, ku gjatë ikjes, i pandehuri është dëgjuar duke i thënë të miturit: “Bravo, ik”.
Si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat, zyrtari policor Muhamed Lika kishte ndërruar jetë, gjë që është konfirmuar edhe në raportin e autopsisë. Sipas Prokurorisë, shkaku i vdekjes ishin plagët e marra nga predhat e armës së zjarrit.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se i mituri ka kryer veprën penale në bashkëkryerje "Vrasje e rëndë", sipas nenit 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.9, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I mituri ndodhet në paraburgim që nga data 21 prill 2025.