“Prokurorët në gjumë”, katër vjet pas vrasjes së Engjëll Smërqakut nga Gjilani; asnjë lëvizje
Katër vjet më parë, me datë 22.10.2020 në rrethana ende të paqarta u therrë me thikë për vdekje para banesës Engjëll Smerqaku nga Gjilani.
Edhe pse kanë kaluar katër vjet, kjo vrasje që pati tronditur Kosovën vazhdon të mbetet mister. Dorasi nuk është gjetur asnjëherë. Për më tepër, në lidhje me vrasjen e 19-vjeçarit nuk ka pasur asnjëherë asnjë aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
Organi i akuzës ndonëse kishte hapur hetimet, kishte intervistuar njerëz, e parë kamerat pranë banesës, nuk kishin përpiluar akt akuzues ndaj asnjë personi.
Familjarët e Engjullit tash e katër vite janë në pritje të zbardhjes së këtij rasti. Vëllau i Engjullit, Blond Smërqaku në një prononcim për Gazetën Nacionale, ka akuzuar prokurorët e Gjilanit, se nuk po ndërmarrin asnjë hap në këtë drejtim.
“Përpos që njëherë u ndërru prokurori, nga Agron Uka te Isuf Sadiku asgjë tjetër nuk është ndërmarrë. Prokurorët po flenë gjumë” – është shprehur Blondi.
Ndryshe, qytetarët e Gjilanit disa here kanë protestuar pranë organeve, duke kërkuar drejtësi për Engjullin.