Profesori serb: Që nga 2010 Serbia çdo herë e më shumë rehabiliton kriminelët e luftës
Profesori serb Zarko Korac në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas” duke folur për ngjarjet e fundit ku Serbia ka nisur kundërshtimin – dhe atë në nivel fushate elektorale – e Rezolutës në bërje ku do të shënohet dënimi i gjenocidit të ushtrisë së Republika Srpska ndaj boshnjakëve civilë në Srebrenicë, ka thënë se që nga 2010 “në thelb” ka ndryshuar edhe më shumë Serbia.
“Por që nga viti 2010, diçka ka ndryshuar në Serbi. Qeveria e SNS në thelb rehabilitoi kriminelët e dënuar të luftës. Ata tani janë mysafirë nderi në festimet shtetërore, në emisione televizive me mbulim kombëtar dhe intervistohen pothuajse çdo ditë në tabloidet shtetërore, kështu që partia e Sheshelit është për herë të parë në një koalicion me SNS në zgjedhjet lokale në Serbi. Me vetëdije dhe këmbëngulje po krijohet një iluzion i rrezikshëm se ato aktgjykime as që ekzistonin dhe se për luftën dhe krimet e bëra nga pala serbe nuk duhet të flitet më”, thekson Koraq.
“Nëse marrëveshjet nuk vlejnë, pse Serbia i nënshkruan fare? Të lëmë mënjanë faktin se jemi në prag të një krize të re për Kosovën, nëse qeveria i përkrah përfaqësuesit e serbëve në Kosovë që të mos marrin pjesë në zgjedhje të reja. Nga ana tjetër, Vuçiq, SNS dhe të gjitha tabloidët e tyre pretendojnë se kanë harruar se në vitin 2010 Parlamenti serb miratoi një rezolutë që dënonte krimet në Srebrenicë. Në preambulën e asaj rezolute përmendet aktgjykimi i gjykatës ndërkombëtare në Hagë, i cili flet për gjenocid dhe rezoluta i referohet atij. Republika Srpska dhe personalisht Milorad Dodik më herët folën për Srebrenicën si gjenocid”, kujton Zharko Korać.