Procesohen mbi 90% e vendvotimeve, këtu mund t’i ndiqni rezultatet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri të enjten, më 11 qershor 2026 në orën 16:00, procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 35 nga 38 Qendra Komunale të Numërimit (QKN), ndërsa janë procesuar gjithsej 2,271 nga 2,498 vendvotime, ose 90.91 për qind e tyre.
Sipas të dhënave të KQZ-së, gjatë ditëve të fundit janë përmbyllur aktivitetet e numërimit dhe verifikimit në shumicën e komunave të vendit. Fillimisht, më 8 qershor procesi u përfundua në Junik, Shtërpcë, Hani i Elezit, Partesh dhe Mamushë.
Një ditë më vonë, më 9 qershor, numërimi dhe verifikimi u përmbyllën në Zubin Potok, Zveçan, Kllokot, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Ranillug dhe Mitrovicë të Veriut.
Ndërkaq, më 10 qershor, deri në orën 16:00, procesi përfundoi në Deçan, Dragash, Kamenicë, Graçanicë, Klinë, Viti, Kaçanik, Rahovec dhe Leposaviq. Po atë ditë, deri në mesnatë, u finalizua edhe në Istog, Skenderaj, Malishevë, Drenas, Lipjan, Pejë dhe Podujevë.
Sipas raportit të fundit të KQZ-së, gjatë së enjtes deri në orën 16:00, procesi është përmbyllur edhe në Fushë Kosovë, Ferizaj, Suharekë, Vushtrri, Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.
Megjithatë, numërimi dhe verifikimi ende nuk ka përfunduar në tri Qendra Komunale të Numërimit. Në Gjilan janë procesuar 94 nga 127 vendvotime, në Prizren 167 nga 232, ndërsa në Prishtinë 133 nga 262 vendvotime.
KQZ pritet të vazhdojë procesin në këto tri komuna deri në përmbylljen e plotë të verifikimit dhe numërimit të të gjitha vendvotimeve në nivel vendi.
Rezultatet mund t’i ndiqni KËTU.