Prishja e koalicionit VV-PDK në Gjilan, Haziri: LDK do të jetë opozitë agresive
Ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se partia e tij do të jetë opozitë agresive ndaj pozitës në Gjilan, pasi sipas tij projektet janë duke i konsideruar si të huaja.
Haziri përmes një postimi në Facebook, ka thënë se koalicioni i ndërtuar në Gjilan në mes të PDK-së dhe VV-së, nuk ishte nuk ishte ndërtuar në bazë të një programi për Gjilanin e zhvilluar, por për interesa personale e partiake.
Ai ka thënë se prishja e këtij koalicioni dhe deklarata e PDK-së pas daljes tregojnë se mundësia për të bashkëpunuar me të parin e ekzekutivit për të mirën e përbashkët publike, ka qenë minimale apo s’ka ekzistuar fare.
I njëjti ka thënë se LDK-ja do të jetë opozitë e fortë, duke mos shprehur gatishmërinë për bashkëqeverisje me partinë në pushtet.
“Edhe njëherë para jush, konfirmoj qëndrimin e LDK-së se jemi opozitarë deri në fund të këtij mandati, duke mos shprehur gatishmërinë për bashkëqeverisje me partinë në pushtet. LDK do të jetë opozitë agresive e këtij pushteti që projektet tona po i konsideron si të huaja.” – ka thënë ai.
