Presidentja cakton datën për zgjedhjet komunale në Zveçan e Leposaviq
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka njoftuar se 25 dhjetori është caktuar si datë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit.
Sipas njoftimit të sotëm të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, thuhet se vendimi është marrë pas konsultimit me partitë politike dhe duke pasur parasysh që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë kohë të mjaftueshme për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
“Pas Vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpërndarjen e Kuvendeve Komunale në Zveçan dhe Leposaviq, pas konsultimit me partitë politike dhe duke pasur parasysh që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë kohë të mjaftueshme për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me afatet dhe detyrimet ligjore, caktoi 25 dhjetorin, datë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit”, thuhet në njoftimin e presidencës.
