Njohja nga Amazon, Presidenca: Erdhi si rezultat i takimeve të nivelit të lartë që Osmani mbajti në tetor të këtij viti
Kosova ka arritur një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e saj digjital dhe ekonomik. Oda Amerikane në Kosovë dhe Zyra e Presidencës njoftuan se gjiganti i teknologjisë, Amazon, ka njohur zyrtarisht shtetin e Kosovës dhe e ka përfshirë atë në të gjitha platformat e saj.
Diskutimet intensive ndërmjet Presidentes dhe përfaqësuesve të Amazon-it kanë çuar në këtë njohje të rëndësishme, e cila do të mundësojë që Kosova të jetë e pranishme në një nga platformat më të mëdha të tregtisë elektronike në botë, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Prania në platformat Amazon, u mundëson individëve dhe bizneseve kosovare ta zgjerojnë shtrirjen e tyre dhe t'i prezantojnë produktet vendore para një audience globale në amazon.com, duke nxitur rritjen ekonomike dhe inovacionin, thuhet më tej në njoftim.