Presidenca jep detaje për takimin Osmani-Hovenier - NACIONALE

Presidenca jep detaje për takimin Osmani-Hovenier

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier.

Presidencja përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se në takim është folur për zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë këtu edhe ndalimin e qytetarëve shqiptarë nga Serbia.

“Në takim u diskutua po ashtu për zhvillimet e fundit në vend, ku Presidentja potencoi shkeljen serioze të të drejtave të njeriut dhe marrëveshjes për lirinë e lëvizjes nga ana e Serbisë, përmes ndalimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës në zonat kufitare dhe trajtimit të papranueshëm të tyre, si dhe arrestimet e paligjshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.” – thuhet në njoftim.

Po ashtu, mes tjerash është folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Në takim gjithashtu u diskutua lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe për përgatitjet që po bëhen për mbarëvajtjen e procesit të votimit që do të mbahet këtë fundjavë në veri të vendit.”

Në fund, është konfirmuar se presidentja Osmani do ta përfaqësojë vendin në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Temë e diskutimit ishin edhe përgatitjet që po bëhen si dhe koordinimi me aleatët në prag të mbledhjes së radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Kosova do të përfaqësohet nga Presidentja Osmani.” – thuhet aty.

Lajme të ngjashme