Policia sekuestron armë pas kontrolleve në Leposaviq e Vushtrri, intervistohet e më pas lirohet një person
Policia e Kosovës ka njoftuar se zyrtarët hetues në Mitrovicë të Veriut, në koordinim me hetuesit e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, kanë siguruar informacione se një person me inicialet A.A. (1997), banues në Leposaviq, dyshohej se posedonte armë ilegale.
Pas pranimit të informatave, njësitë policore kanë kryer kontrolle në tri lokacione, dy prej tyre në Leposaviq dhe një në Vushtrri.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar një flamur me mbishkrimin "Kosovo je Serbia", dy bomba tymuese, një pistoletë me gaz së bashku me një karikator, një armë e gjatë AK-47, si dhe një karikator i mbushur me 30 fishekë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit penal për veprën "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve".
I dyshuari është intervistuar nga policia dhe, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.