Policia parandalon një rast të kontrabandës, ndalet vetura nga Serbia me barna të ndryshme
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra.
Në një njoftim për media, policia ka bërë me dije se në fshatin Novosellë është ndaluar një automjet me targa të Serbisë, ku janë gjetur barna të llojeve të ndryshme.
Sipas njoftimit, mallrat janë sekuestruar përkohësisht, ndërsa “personi dhe vetura janë liruar në procedurë të rregullt”.
“Patrulla policore kufitare e SPMK- Muqivërcë DRPK-Lindje Kaçanik, e angazhuar në luftimin e aktiviteteve kriminale ndërkufitare, ka arritur ta parandalojë një rast të kontrabandë me mallra (barna) nga Serbia. Rreth orës 13:25 në fshatin Novosellë, pasi që është futur në territorin e Republikës së Kosovës nga territori i Serbise, është ndaluar për kontroll automjeti me targa të Serbisë dhe gjatë kontrollit në bagazhin e tij janë gjetur barna të llojeve të ndryshme.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurorja kujdestar në PTH- Gjilan, e cila ka urdhëruar që rasti të cilësohet “Kontrabandë me mallra”, mallrat e dyshuara të sekuestrohen përkohësisht dhe t’i dorëzohen për ruajtje Doganës së Kosovës, kurse personi dhe vetura të lirohen në procedurë të rregullt” – thuhet në njoftim.