Policia parandalon kontrabandën e drurit në kufi, të dyshuarit ikin drejt Serbisë
Policia e Kosovës ka zbuluar një rast të dyshuar të kontrabandës me dru dhe manipulimit të automjeteve në fshatin Svircë të Kamenicës, në afërsi të brezit kufitar.
Gjatë zbatimit të një plani operativ rreth orës 20:20, zyrtarët policorë kanë hasur një automjet me targa vendore, pranë të cilit ndodheshin dy persona. Sapo kanë pikasur praninë e forcave të rendit, të dyshuarit janë arratisur me shpejtësi në drejtim të territorit të Serbisë.
Në vendngjarje, pranë mjetit të braktisur, autoritetet kanë gjetur një sasi të konsiderueshme drush të prerë. Sipas vlerësimeve të zyrtarëve kompetentë, sasia e masës drusore arrin në rreth 100 metra kub dhe dyshohet se është kontrabanduar nga Serbia
Policia ka konfiskuar menjëherë automjetin dhe e ka dërguar në stacion. Pas kontrolleve paraprake, ka rezultuar se mjeti dyshohet të jetë i falsifikuar, për shkak të ndërhyrjeve të evidentuara në numrin e shasisë.
“Svircë, Kamenicë / 11.04.2026 – 20:20. Gjatë implementimit të një plani operativ rreth brezit kufitar është hasur në një automjet me targa vendore afër të cilit kishin qenë dy persona të cilët kanë ikur në drejtim të Serbisë. Në atë vend afër veturës kishte pasur një sasi të konsiderueshme të drunjtëve të prera që dyshohet se janë sjellë nga Serbia dhe sipas zyrtarëve të AKP-së që kanë dalë në vendin e ngjarjes masa drusore është rreth 100 m3 (metër kub). Automjeti është konfiskuar dhe sjellë në stacion policor i cili dyshohet të jetë i falsifikuar pasi ka ndërhyrje në numrin e shasisë. Lidhur me rastin është informuar prokurori, rasti është duke u hetuar”.