Policia jep detaje: Dy kosovarë u mbytën në Shëngjin, tre po marrin ndihmë mjekësore
Policia e Shtetit ka dalur me një njoftim zyrtar pas ngjarjes tragjike të ndodhur këtë të mërkurë në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, ku dy persona humbën jetën.
Sipas autoriteteve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30. Pesë shtetas nga Kosova kishin hyrë në det për t’u larë, por për shkak të dallgëve të forta të shkaktuara nga era, ata janë gjendur në rrezik mbytjeje.
Në ndihmë të tyre kanë ndërhyrë qytetarë me Jet Ski, si dhe shërbimet policore dhe ato të emergjencës, duke bërë të mundur nxjerrjen e pesë personave në breg. Fatkeqësisht, dy prej tyre nuk kanë mundur të mbijetojnë, ndërsa tre të tjerët po marrin trajtim mjekësor.
“Shëngjin, Lezhë/Informacion paraprak. Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.
Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.
Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.