Policia finalizon përgatitjet për zgjedhjet e 7 qershorit, mban takime koordinuese me institucionet vendore dhe ndërkombëtare
Në kuadër të përgatitjeve për garantimin e një procesi zgjedhor të sigurt dhe të qetë më 7 qershor, Policia e Kosovës ka zhvilluar sot dy takime informuese dhe koordinuese me strukturat e saj drejtuese, si dhe me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Takimi i parë u mbajt në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë, ku morën pjesë drejtorët rajonalë dhe drejtorët e departamenteve policore. Gjatë këtij takimi u diskutuan planifikimet operative, masat e sigurisë dhe angazhimet policore për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në të gjithë territorin e Kosovës.
Ndërkaq, në takimin e dytë morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si dhe përfaqësues të organizatave dhe misioneve ndërkombëtare që monitorojnë dhe mbështesin procesin zgjedhor. Në këtë takim u prezantuan përgatitjet e Policisë së Kosovës, masat e planifikuara të sigurisë dhe mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional për ditën e zgjedhjeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, tha se angazhimi profesional dhe i paanshëm i zyrtarëve policorë mbetet kyç për garantimin e një procesi zgjedhor demokratik. Ai vlerësoi se deri më tani fushata dhe aktivitetet zgjedhore janë zhvilluar në një atmosferë të qetë, pa incidente që do të cenonin sigurinë publike apo zhvillimin normal të procesit.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë takimeve janë prezantuar edhe detyrat operative dhe aktivitetet koordinuese që do të ndërmerren para, gjatë dhe pas votimit, me fokus në ruajtjen e rendit publik, sigurinë e qendrave të votimit dhe garantimin e ushtrimit të lirë të së drejtës së votës nga qytetarët.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për zbatimin e mandatit kushtetues dhe ligjor, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet relevante për të siguruar një proces zgjedhor të sigurt, transparent dhe demokratik.
Njëkohësisht, qytetarët janë ftuar të bashkëpunojnë me institucionet dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që mund të ndikojë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor përmes numrit emergjent 192, në stacionet policore ose përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.