Po lihen pa rroga mësuesit: Kurtit s'iu ndal asnjëherë rroga, i mori gati 200 mijë euro përkundër veprimeve penguese në Kuvend
Mësimdhënësit janë lënë pa paga nga Qeveria e Kosovës në një vendim që po konsiderohet të ketë mungesë dhembshurie dhe probleme ligjore. Por, a iu ndal rroga ndonjëherë kreut të Qeverisë Kurti, Albin Kurtit?
Kryeministri i Kosovës ka punuar në Kuvend të Kosovës si deputet prej vitit 2010 e këndej. Deri vitin e kaluar, ai ka marrë rrogë muaj për muaj në vlerë të përgjithshme prej 178 mijë e 699 eurove.
Megjithëse nuk kishte bërë asnjëherë të vetme grevë, ai shquhet për veprimet të cilat deridiku i ngjasojnë grevës.
Kurti ka qenë madje edhe i dënuar për disa veprime në sallë të Kuvendit të Kosovës, siç ishte hedhja e gazit lotsjellës prej tij apo bashkëpartiakëve të tij gjatë viteve 2015 dhe 2016.
Këto veprime të tillë kishin rezultuar në një ndërprerje të gjatë të punës së Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri i vendit nuk ka bërë ndonjë investim kapital me gjithë këto para, derisa nuk ka mbledhur as kursime. Në deklarimin e fundit në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), Kurti kishte deklaruar se i kishte në bankë vetëm 401 euro.
Megjithatë, ai është i martuar me znj. Rita Knudsen dhe e cila para disa vitesh ka blerë një banesë në Osllo të Norvegjisë.
Përgjatë periudhës së grevës, është raportuar se edhe vajza e z. Kurti, Lea, ndjek shkollimin në kryeqytetin norvegjez dhe jo në kryeqytetin kosovar ku i banon babai.
Ky i fundit pas ardhjes në pozitën e kryeministrit për herë të dytë, ndërroi banesën ku jetonte. Tashmë, edhe pse paguan qira të njëjtë prej 250 eurove, Kurti banon në lagjen Taslixhe në një shtëpi që raportohet të jetë mbi 200 metra katrorë.
