“Plumba për tradhtarët”: Shtyhet seanca për kanosjen ndaj Dimal Bashës, të dy palët jashtë shtetit
Ka dështuar të mbahet seanca në mungesë të të akuzuarit Bajram Isufi, në rastin ku i njëjti akuzohet se përmes rrjetit social “Facebook” ka kanosur deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.
Gjithashtu, në seancë mungoi edhe i dëmtuari, deputeti Basha, i cili paraprakisht kishte njoftuar Gjykatën se gjendet në udhëtim zyrtar në Moldavi.
Në seancë, i pranishëm ishte mbrojtësi i Isufit, avokati Shemdi Bunjaku i cili njoftoi se është arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë dhe se për seancën e sotme, i akuzuari nuk ka qenë i njoftuar.
Po ashtu, edhe prokurorja Elza Bajrami pohoi se është arritur marrëveshje për pranim të fajësisë dhe se i akuzuari edhe gjatë fazë se arritjes se marrëveshjes ka njoftuar se gjendet në Gjermani.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 shkurt 2024, thuhet se i akuzuari Bajram Isufi me banim në Gjermani, përmes rrjetit social “Facebook” e ka kanosur seriozisht deputetin Dimal Basha në lidhje me punën dhe pozitën e tij, duke i shkruar mesazh në Facebook me fjalët “te kqyrum kujna po i shkon e kujt jo o p** n***! Plumba për tradhëtar të kombit ka me pas gjithë dhe ko me pas! Perhajr ju koft tash edhe rune prapani** dhe familjen se tash e tutje s’dihet se ku ka me ju kersit!”. /BetimiPërDrejtësi