Planifikuan vrasje dhe sulme ndaj bizneseve, aktakuzë ndaj gjashtë personave
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të identifikuar me inicialet A.H., D.R., D.M., F.Q., Sh.K. dhe R.B., nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar dhe vepra të tjera penale.
Sipas aktakuzës, nga dhjetori i vitit 2024 deri në shkurt të vitit 2025, të pandehurit dyshohet se kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke planifikuar vrasjen e rëndë të një personi.
Ata gjithashtu akuzohen se kanë planifikuar sulme me armë zjarri dhe mjete shpërthyese ndaj bizneseve të lidhura me të dëmtuarit. Qëllimi dyshohet se ishte shkaktimi i dëmeve materiale, frikësimi i viktimave dhe demonstrimi i fuqisë së grupit.
Prokuroria njoftoi se secili i akuzuar kishte rol të caktuar në planin kriminal, realizimi i të cilit u parandalua falë veprimeve hetimore.
Aktakuza përfshin veprat penale të organizimit ose pjesëmarrjes në grup kriminal, veprimeve përgatitore për vrasje të rëndë, armëmbajtjes pa leje, falsifikimit të dokumenteve dhe posedimit të paautorizuar të narkotikëve.