Pezullohet drejtori i Policisë Rrugore në Shqipëri pasi që goditi me shpullë një qytetar
Drejtori i Policisë Rrugore në Shqipëri, Altin Qato është pezulluar nga detyra pasi ka goditur një qytetar.
Në njoftimin nga Policia e Shtetit u bë e ditur se Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, sapo e ka parë videon e publikuar në rrjete sociale, ka urdhëruar pezullimin e Qatos.
“Gjithashtu, ndaj tij ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga neni 204, pika 2, germa “a”, e rregullores së Policisë së Shtetit, “Sjellja e rendë diskredituese”. Hetimi disiplinor do të kryhet në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”.
“Sqarojmë opinionin publik se qytetarët që shfaqen në video nuk ishin pjesë e protestës që po zhvillohej nga banorët e zonës në aksin rrugor Thumanë-Kashar, por udhëtonin me mjetin e tyre në drejtim të Tiranës, duke kryer manovra në rrugë dhe kundërshtuar e ofenduar punonjësit të Policisë Rrugore, të cilët i kanë këshilluar për të ulur shpejtësinë dhe për të qëndruar në radhë deri sa të normalizohej lëvizja”.
“Edhe pas këshillimit nga ana e punonjësve të Policisë Rrugore, këta shtetas kanë vijuar t’i bien pa pushim sistemit zanor të automjetit, duke shkaktuar shqetësim te përdoruesit e tjerë të rrugës dhe njëherazi irritim të tyre.” – thuhet në njoftim.
Ndër të tjera në njoftim u bë e ditur se personat E.Q., dhe Gj.K., janë shoqëruar në polici, ku pas përfundimit të veprimeve janë proceduar penalisht për “Mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.