Petrit Hajdari nuk kandidon për deputet më 28 dhjetor: S’bëhem pengesë e bashkimit të synuar të PDK-së
Ish-kandidati për kryetar të komunës së Drenasit, Petrit Hajdari, ka njoftuar se nuk do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Qytetarë të dashur, simpatizantë e aktivistë të PDK-së,
Dua t'ju njoftoj se në zgjedhjet e 28 dhjetorit unë nuk do të jem kandidat.
Jam jashtëzakonisht falenderues për mundësinë e dhënë dhe për rreth 17 mijë vota të qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare. Thellësisht e falenderoj ish-kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi për besimin e tij treguar ndaj meje”, shkruan Hajdari.
Ai thotë se ka ‘qenë dhe është në përkrahje të PDK-së”, por shton se ‘nuk i bëhet pengesë bashkimit të synuar të PDK-së’.
“S'ka dyshim që me krejt forcën time do të jem në mbështetje të PDK-së siç kam qenë gjithmonë.
Sa i përket ikjeve e rikthimeve, unë për dallim prej shumëkujt, vendimet e PDK-së i respektoj edhe kur nuk pajtohem. Kam qenë e jam në përkrahje të PDK-së.
Sidoqoftë, bashkimit të synuar nga partia unë s'i bëhem pengesë. Për të mirën e PDK-së dhe Kosovës, ndonëse besoj që s'është kjo e mira e PDK-së.
Nuk mund ta tradhtoj mundin tim dhe krejt ata qytetarë që më kanë përkrahur në gjithë këto zgjedhje. Prandaj, përkundër kërkesës së kryetarit dhe kryesisë, unë kam vendosur të mos jem kandidat, por do të jem krah për PDK-në dhe kandidatët tanë e Bedri Hamzën për kryeministër.
Ju faleminderit nga zemra të gjithëve! “, shkruan Hajdari.