Petkoviq: Serbia do të shqyrtojë dërgimin e 1 mijë forcave në Kosovë - NACIONALE

Petkoviq: Serbia do të shqyrtojë dërgimin e 1 mijë forcave në Kosovë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar pas shtimit të forcave të Policisë së Kosovës në veriun e vendit duke bërë deklarata nxitëse e të papranueshme.

Petkoviq ka thënë se Serbia "do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë" në Kosovë, dhe sipas tij ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Petkoviq tha se 300 deri në 350 Policë të Kosovës - përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU - "kanë okupuar dhe bllokuar" Mitrovicën e Veriut, raporton Radio Evropa e Lirë.

"Siç kemi paralajmëruar, Kurti ka vazhduar me aksione ilegale dhe të dhunshme që synojnë okupimin e veriut të Kosovës. Pas konfiskimit të verës duke sulmuar familjen Petroviq dhe pas keqtrajtimit të fëmijëve në Leposaviq, rreth 300 deri në 350 policë, të armatosur rëndë dhe anëtarë të ROSU me pajisje ushtarake, kanë pushtuar veriun e Kosovës", ka thënë ai.

Petkoviq ka vazhduar pretendimet e pabazuara duke thënë se policët e Kosovës po ndalojnë njerëzit dhe po i ngacmojnë.

“Le të kujdesen ata në Perëndim, të mos befasohen me vendimet tona, sepse ne nuk jemi që po provokojmë e po shkelim marrëveshjet.”

Lajme të ngjashme