Pesë anëtarë të KPK-së mohojnë akuzat për kërcënim në mbledhjen ku u shkarkua Kelmendi - NACIONALE

Pesë anëtarë të KPK-së mohojnë akuzat për kërcënim në mbledhjen ku u shkarkua Kelmendi

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial, kanë lëshuar komunikatë me anë të së cilës kanë deklaraur se nuk kishte asnjë kërënim për mbledhjen ku u shkarkua U.D Kryeprokurori Besim Kelmendi. Sipas kësaj komunikate KPK do të mbaj edhe një mbledhje të jashtëzakonshme në lidhje me këtë çështje.

E plotë:

Deklaratë e pesë anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 24 nëntor 2025 - Këshilli Prokurorial i Kosovës, në funksion të garantimit të pavarësisë institucionale dhe mbrojtjes së integritetit të sistemit prokurorial, sqaron opinionin publik dhe institucionet e vendit si vijon:

KPK deklaron se janë tërësisht të pavërteta dhe të pabazuara deklarimet e disa anëtarëve të Këshillit se kinse kanë qenë subjekt i “kërcënimeve” gjatë zhvillimeve të fundit në institucion. Asnjë fakt, provë apo element objektiv nuk është paraqitur për të mbështetur pretendime të tilla.

Nëse ekziston dyshim i bazuar për ndonjë kërcënim, obligim ligjor dhe institucional është që i njëjti të raportohet menjëherë pranë organeve kompetente të sigurisë, e jo të publikohen deklarata të cilat mund të krijojnë perceptim të rremë, të deformojnë realitetin dhe të dëmtojnë para opinionit publik reputacionin e Këshillit Prokurorial të Kosovës si institucion kushtetues.

Takimi i KPK-së ka qenë plotësisht i hapur dhe transparent dhe është zhvilluar në prani të publikut dhe mediave. Katër (4) anëtarë të Këshillit, përfshirë Ushtruesin e Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kanë zgjedhur ta braktisin takimin me vullnetin e tyre, pa pasur asnjë kërcënim apo presion nga ndonjë anëtar tjetër i Këshillit.

Çdo anëtar i KPK-së gëzon pavarësi funksionale dhe imunitet në ushtrimin e detyrave, siç përcaktohet me Kushtetutë dhe legjislacionin relevant. Për këtë arsye, deklarimet që aludojnë në presione ose kërcënime ndaj anëtarëve janë të papranueshme, të pajustifikuara dhe të pambështetura në ndonjë fakt juridik apo procedural.

Këshilli Prokurorial i Kosovës thekson se do të caktojë së shpejti një takim të jashtëzakonshëm për këtë çështje dhe garanton publikun e gjerë se do të mbetet i përkushtuar tërësisht në përmbushjen e mandatit të tij kushtetues dhe ligjor, pavarësisht sfidave dhe përpjekjeve të kujtdo për të penguar këtë synim.

Lajme të ngjashme