Përleshje në Krushë të Madhe, një person theret – arrestohet i dyshuari
Një përleshje fizike në Krushë të Madhe të Rahovecit ka përfunduar me një person të lënduar dhe një tjetër të arrestuar.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë incidentit dyshohet se është përdorur një mjet i mprehtë, me të cilin është plagosur një person. I lënduari është dërguar në Spitalin e Prizrenit për trajtim mjekësor.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka konfirmuar rastin për Klankosova.tv, duke bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar, ndërsa mjeti që besohet se është përdorur gjatë përleshjes është sekuestruar.
Pas konsultimit me prokurorin e shtetit, ndaj të dyshuarit është hapur rast për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.