Përleshje mes grupeve kosovare dhe rumune në Itali, një shtetas kosovar raportohet të ketë vdekur - NACIONALE

Përleshje mes grupeve kosovare dhe rumune në Itali, një shtetas kosovar raportohet të ketë vdekur

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në qendrën e Trevisos, aty ku mësohet se ka ndërruar jetë një shtetas kosovar 45-vjeçar pas përleshjes mes dy grupeve, kosovare dhe rumune.

Në afërsi të një kafeneje në Treviso, konkretisht në "La Musa", në adresën "4 Novembre Treviso", ku ishin duke qëndruar dhjetëra njerëz, të cilët po relaksoheshin duke shikuar një ndeshje futbolli, siç ishte ajo mes Barcelonës dhe Interit, mbrëmë, papritmas, ka ndodhur një eskalim i skajshëm i situatës.

Bëhet fjalë për dy grupe që mediet italiane i kanë identifikuar si shtetas kosovarë dhe rumunë. Në një moment, dhjetëra veta kanë zbritur nga një kombibus, i cili është ndalur në hyrje të kafenesë në fjalë.

Ata ishin të furnizuar me armë të çdo lloji, duke bërë kështu që të fillonte një përleshje masive, ku nuk u kursye askush. Të paktën 20 veta raportohet të kenë qenë të përfshirë në këtë përleshje. Më së keqi e pësoi një shtetas kosovar 45-vjeçar, i cili pas therjes me thikë në këmbë nuk ia doli t’u rezistojë plagëve dhe vdiq akoma pa arritur mirë në spital.

Njashtu, të paktën edhe gjashtë të tjerë raportohet të jenë në gjendje të rëndë, pasi kanë pranuar sulme me armë të ftohta.

Dëshmitarë të rastit i kanë njoftuar mediet italiane se e kanë parë "ferrin" me sy dhe se gjaku për orë të tëra ka rrjedhur në rrugët kryesore të qytetit.

Arsyet që kanë çuar në këtë përleshje të papritur dhe të egër akoma nuk janë të qarta. Policia ka dalë menjëherë në vend të ngjarjes dhe akoma është duke u përpjekur që në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse t'i zbardhin prapaskenat që kanë shtyrë drejt kësaj ngjarjeje që i ka tronditur të gjithë në Itali.

Gjatë orëve në vijim, Gazeta Nacionale do të vijojë të ju mbajë të informuar në lidhje me këtë rast.

Lajme të ngjashme