Përfshihen nga zjarri një kamion dhe një autobus në Pejë, policia e vërejti gjatë patrullimit
Një autobus dhe një kamion janë përfshirë nga zjarri në parkingun e një servisi në fshatin Katund i i Ri në Pejë, në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes.
Sipas policisë, zjarri është vërejtur nga një patrullë policore gjatë kryerjes së detyrës. Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë relevante, zjarrfikësit dhe eksperti i zjarrit, ndërsa shkaku i incidentit ende nuk është bërë i ditur.
Përveç autobusit dhe kamionit, flakët kanë shkaktuar dëme edhe në disa automjete të tjera të parkuara, si dhe në një pjesë të objektit të servisit.
“Fsh. Katundi i Ri, Pejë 08.05.2026 – 03:45. Policia gjatë patrullimit kanë vërejtur një zjarr, ku duke u djegur ishte një kamion dhe një autobus në parkingun e një servisi. Njësitë relevante, zjarrfikësit eksperti i zjarrit, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Si pasojë e zjarrit janë dëmtuar: një pjesë ballore e objektit, një autobus, një kamion, një pickup dhe dy vetura. Shkaktari i zjarrit ende nuk dihet, nuk ka persona të lënduar, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftimin e policisë.