Përfaqësuesit e mbi 100 mijë studentëve paralajmërojnë BE-në: Nuk ju lejojmë të na e kriminalizoni luftën e UÇK-së
Përfaqësuesit e parlamenteve studentore të universiteteve publike në Kosovë kanë shprehur sot pakënaqësitë e tyre për procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale.
Para Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përfaqësuesit e mbi 100 mijë studentë, të mbështetura edhe nga përfaqësues të studentëve nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, kanë kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Në mënyrë të organizuar, ata kanë dorëzuar në zyrën e BE-së edhe një Deklaratë të Përbashkët, ku kanë kërkuar që vendimi në Hagë për ish-udhëheqësit e UÇK-së të merret pa ndikime politike, pa standarde të dyfishta dhe vetëm mbi bazën e fakteve, provave, ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës.
Si gjeneratë e re e Kosovës, at kanë thënë se mënyra sesi është zhvilluar ky proces në Hagë, i mbështetur dhe financuar nga vendet e Bashkimit Evropian, ka krijuar te qytetarët tanë bindjen se i ka shërbyer më shumë narrativës dhe nevojave politike të Serbisë sesa kërkimit të drejtësisë.
“Ne, përfaqësuesit e studentëve të universiteteve publike, të indinjuar nga procesi gjashtëvjeçar në Hagë dhe nga padrejtësitë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre, sot e ngremë zërin e studentëve edhe para jush, si Zyrë e Bashkimit Evropian në Kosovë. Si parlamente studentore që përfaqësojnë rreth 100 mijë studentë, kërkojmë që vendimi në Hagë të merret pa ndikime politike, pa standarde të dyfishta dhe vetëm mbi bazën e fakteve, provave, ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës”, është thënë në deklaratën e tyre.