Perëndimorëve u bëhet thirrje që të largohen nga Libani, vazhdojnë përpjekjet për parandalimin e luftës - NACIONALE

Perëndimorëve u bëhet thirrje që të largohen nga Libani, vazhdojnë përpjekjet për parandalimin e luftës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Përpjekje intensive diplomatike për ta parandaluar Izraelin që ta sulmojë Bejrutin e Libanit si hakmarrje për sulmin vdekjeprurës me raketë në Rrafshnaltën e Golanit po bëheshin të hënën, përderisa qeveritë e Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara lëshuan paralajmërime për udhëtime për qytetarët e tyre, duke u bërë thirrje që të largoheshin nga Libani ose ta shmangnin shkuarjen atje.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, tha se ngjarjet “po lëviznin shpejt” dhe se shtetasit britanikë këshilloheshin “që të largohen nga Libani dhe të mos udhëtojnë në atë vend”, raporton gazeta “The Guardian”.

Në udhëzimin e saj për udhëtime, Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuara paralajmëroi se ngjarjet në rajon mund të eskalojnë “me pak paralajmërim” dhe mund t’i lënë rrugët komerciale për largim nga Libani me pengesa të rënda.

Disa fluturime janë anuluar këtë javë në aeroportin ndërkombëtar të Bejrutit. Kompania ajrore jordaneze “Royal Jordanian” ishte e fundit që u bë pjesë e listës të hënën, duke i pezulluar fluturimet të paktën deri të martën.

Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje për të shmangur një luftë të plotë mes Izraelit dhe Hezbollahut pas një sulmi që la të vrarë 12 të rinj në fundjavë në Golanin e pushtuar nga Izraeli. Izraeli dhe ShBA-ja e kanë fajësuar Hezbollahun për sulmin, edhe pse grupi e ka mohuar përgjegjësinë.

Lajme të ngjashme