Për dallim nga Armend Muja, Xhavit Haliti thotë se e ka parë draftin - e kritikon Vjosa Osmanin
Armend Muja, deputetët i VV-së, mbrëmë deklaroi se nuk e ka parë draftin e statutit të Asociacionit, ndonëse është një nga deputetët më të votuar dhe më i zëshmi i VV-së.
Për dallim nga Muja, një koleg i tij në Kuvendin e Kosovës, deklaron se e ka parë draft-statutin e Asociacionit. Duke folur për Front Online, Xhavit Haliti, deputet i PDK-së, e konfirmoi që e ka parë draft-statutin e Asociacionit, që Muja nuk e ka parë ende.
Madje, deputeti Haliti doli kundër idesë së Vjosa Osmanit, presidente e Kosovës, e cila paralajmëroi se do t’i ftonte partitë politike për të diskutuar për draft-statutin e Asociacionit.
"Mendoj që nuk është kompetencë e Presidentes për të diskutuar për këtë çështje, mendoj që këto çështje duhet të diskutohen në parlament, të diskutohen në komisione përkatëse dhe s’ka nevojë askush që njëri tjetrin me marr me të mirë. Është obligim kushtetues që të diskutohet secili variant në mënyrë transparente dhe të merren vendime jo nga liderët, por nga institucionet.” - deklaroi ai
“Draftin e kam pa, jam dakord që të veprohet në përputhje me kërkesat që janë permanente që Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive, të tjerat diskutohen gjatë dialogut dhe vendoset kur pjekën kushtet. Unë nuk besoj që ka me ju tregu diçka më shumë se sa e dinë të gjithë ata, dhe nuk e besoj që pse po i fton Presidentja në takim, mund të merren vendime për hatër të presidentes. Këto çështje janë çështje të interesit të përgjithshëm, dhe në përputhje me atë, duhet të veprojë qeveria, parlamenti dhe Presidentja si noterë mund t’i nënshkruaj materialet që i takojnë asaj.” - shtoi ai.