PDK nis përgatitjet për zgjedhjet e brendshme, procesi pritet të fillojë në shtator
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur të martën mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku fokusi kryesor ishte përgatitja për procesin e zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet organizative të partisë.
Sipas njoftimit të PDK-së, zgjedhjet e brendshme do të përfshijnë të gjitha strukturat e partisë, nga nëndegët dhe degët deri te zgjedhja e kryetarit.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të një procesi korrekt dhe transparent, duke kërkuar respektimin e standardeve të larta demokratike në çdo fazë të organizimit të zgjedhjeve.
Në kuadër të përgatitjeve, Kryesia ka vendosur të formojë një grup punues, i cili do të merret me aspektet teknike dhe ligjore të procesit zgjedhor. Sipas partisë, ky grup do të ketë për detyrë orientimin, koordinimin dhe mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së procesit, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të rregullta dhe të drejta.
PDK-ja ka bërë të ditur se fillimi i procesit të zgjedhjeve të brendshme është planifikuar për muajin shtator, duke u lënë kohë strukturave organizative për përgatitje të plotë.
Në fund të mbledhjes, Kryesia e PDK-së ka riafirmuar përkushtimin për zhvillimin e një procesi demokratik, gjithëpërfshirës dhe përfaqësues, në përputhje me standardet dhe traditën politike të partisë.