PDK kërkon shkarkimin e ministres Hajdari
Shefi i Grupit Parlamentare i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar që të shkarkohet ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Tahiri, gjatë një konference për media ka përmendur disa nga skandalet e ministres Hajdari.
“Ministrja Rozeta Hajdari nuk ka dhënë përgjegjësi të mjaftueshme për rezervat në grurë që në konsiderojmë se kemi një manipulim të madh. Pastaj, skandali ku një ministre godet me veturë një fëmijë dhe deklarohet e pafajshme. Dhe një ministre e papërgjegjshme që e promovon Kosovën si vend ku kanë lindur manastiret ortodokse serbe”, ka thënë Tahiri.
Ai gjithashtu ka përmendur edhe Raportin e Progresit, për të cilin ka thënë se evidenton mungesën e progresit në të gjitha fushat në Kosovë.
“Është me rëndësi të theksohet që raporti i progresit vlerëson miratimin e një pjesë të ligjeve, siç është ligji për deklarimin e pasurisë dhe ligji për anti-korrupsion. Ajo çka mund ta përmbledhë me një fjali është që ky raport evidenton mungesën e progresit në të gjitha fushat në Republikës e Kosovës”, ka thënë Tahiri.
