PDK-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Kurtit dhe Qeverisë në detyrë për mbajtje të pozitave të dyfishta - NACIONALE

PDK-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Kurtit dhe Qeverisë në detyrë për mbajtje të pozitave të dyfishta

2 orë më parë

nga NACIONALE

Pas Aleancës, edhe PDK-ja ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, si dhe Qeverisë në detyrë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar të mërkurën në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe anëtarëve të Qeverisë në detyrë.

Në kallëzim, PDK-ja ka deklaruar se Kurti dhe ministrat që janë certifikuar dhe betuar si deputetë të Legjislaturës XI kanë vazhduar të ushtrojnë njëkohësisht funksionet ekzekutive dhe mandatet e deputetëve.

Sipas PDK-së, kjo përbën dyshim për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar” dhe “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

PDK-ja pretendon se të kallëzuarit, edhe pas 6 korrikut 2026, kanë vazhduar të marrin vendime si Qeveri në detyrë, ndonëse, sipas saj, funksionet e deputetit dhe të anëtarit të Qeverisë janë të papajtueshme.

Në dokument përmendet mbledhja e Qeverisë e 12 gushtit, në të cilën, sipas PDK-së, janë marrë 24 vendime. Partia pretendon se disa prej tyre kanë pasur pasoja financiare, përfshirë ndarjen e 100 mijë eurove, dhënien me qira të pronës publike në vlerë prej 23 mijë e 205 eurosh dhe inicimin e dy procedurave të shpronësimit.

PDK-ja kërkon nga Prokuroria Speciale që të trajtojë dhe hetojë pretendimet e ngritura në kallëzimin penal.

Lajme të ngjashme