Pas sulmit në shkollën e Teksasit me 21 të vrarë, shkarkohet komandanti policor
Një komandant policor, i akuzuar për dështim gjatë reagimit ndaj sulmit fatal me 19 nxënës të vrarë në një shkollë në Teksas të ShBA-së, është shkarkuar nga detyra.
Bordi lokal i shkollës votoi njëzëri për ta shkarkuar zyrtarin Pete Arredondo, i cili ishte pezulluar nga qershori.
Avokatët e tij kanë thënë në një deklaratë më shkrim se ai nuk ishte i vetëdijshëm se ndokush ka qenë brenda klasave me sulmuesin.
Shkarkimi i udhëheqësit policor u bë tre muaj pas sulmit dhe dy javë para fillimit të vitit të ri shkollor në Uvalde.
Sulmi në Shkollën Fillore “Robb” më 24 maj ishte sulmi më vdekjeprurës në shkollat e Shteteve të Bashkuara në gati një dekadë.
Shumë prindër dhe familjarë kanë shprehur zemërim të thellë ndaj reagimit të policisë gjatë sulmit dhe ka pasur presion që organet e sigurisë të mbahen përgjegjëse.
Arredondo është kritikuar ashpër për vonesën 77-minutëshe të policëve për t’u ballafaquar me sulmuesin adoleshent. Ai është zyrtari i parë që shkarkohet për këtë rast.