Pas raportimeve në Nacionale, Fisnik Syla paralajmëron prononcim ‘live’ në rrjete sociale
Fisnik Syla ka paralajmëruar një prononcim “live” në rrjetet e tij sociale.
Ai iu ka bërë thirrje mediave që ta publikojnë këtë reagim të tij pa ndërhyrje.

Paralajmërimi nga Fisnik Syla vjen pas raportimit të Gazetës Nacionale rreth dy rasteve ku dy persona e kanë akuzuar për mashtrim të njëjtin.
Në rastin e parë, në intervistën e realizuar nga gazetari Oqean Dërmaku, viktima ka pretenduar se është mashtruar nga Fisnik Syla duke e akuzuar të njëjtin se ia ka marrë mbi 13 mijë euro, duke i premtuar përfitime marramendëse pas investimit në një biznes të orave luksoze të dorës.
Fitimin e investimit, viktima nuk e kishte marrë kurrë, por as paratë e investuara sipas tij nuk iu kishin kthyer nga Fisnik Syla.
Ky i fundit, kur është kontaktuar nga Nacionale, ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka thënë se keqpërdorimin e emrit të tij, do ta drejtojë tek organet kompetente.
Ndërkaq, pas publikimit të rastit të parë, në Nacionale është lajmëruar edhe viktima e dytë e cila ka pretenduar se Fisnik Syla i kishte marrë tre mijë euro në raste të ndara.
Fillimisht, sipas viktimës e cila jeton jashtë vendit, Fisnik Syla i kishte kërkuar ndihmë financiare për shërimin e nënës së tij, e pastaj e kishte nxitur të investonte në një biznes të diamanteve.
Sikur në rastin e parë, viktima prap nuk kishte parë as paratë e investimit, e as të fitimit. Fisnik Syla, sipas saj ishte zhdukur sërish dhe e kishte bllokuar në rrjete sociale.
Edhe për këtë rast, gazetari Oqean Dërmaku kishte dërguar pyetje tek Fisnik Syla për të marrë versionin e tij të ngjarjes, por i njëjti kishte thënë se do të ishte i gatshëm për intervistë gjatë kësaj jave.
Por, si duket Fisnik Syla ka vendosur që për rastet në fjalë t’i përgjigjet opinionit në rrjetet e tij sociale. Ai ka thënë se deri më tani deklaratat e tij janë shkurtuar dhe i ka humbur kuptimi i asaj që ka dashur të thotë.
Më poshtë gjeni raportimet në Nacionale rreth rasteve dhe akuzave ndaj Fisnik Sylës, të cilat ky i fundit i ka mohuar: