Pas marrjes së detyrës, Lushtaku bën homazhe në Kompleksin “Adem Jashari” dhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushatku, pas marrjes së detyrës, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë.
Ai ka bërë me dije se në këtë mënyrë ka nderuar sakrificën e Komandantit Legjendar Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve që prehen të qetë në këto memoriale.
Në profilin e tij në “Facebook”, Lushtaku ka shkruar se përulet me respekt të thellë për të gjithë ata që dhanë jetën për liri.
“Pas marrjes së detyrës së re, bashkë me kryesuesen e Kuvendit Adelina Spahiu, deputetë të Parlamentit, anëtarë të Kuvendit Komunal e bashkëpunëtorë, bëmë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë, për të nderuar sakrificën e Komandantit Legjendar Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve që prehen të qetë në këto memoriale. Përulemi me respekt të thellë për të gjithë ata që dhanë jetën që ne sot të jemi të lirë, të kemi shtetin tonë dhe të gëzojmë institucionet që burojnë nga gjaku i tyre”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Kjo ditë na rikujton se përgjegjësia jonë është e madhe, sepse amaneti i dëshmorëve na obligon për punë, angazhim dhe përkushtim të palëkundur ndaj qytetarëve dhe të mirës së përgjithshme të vendit tonë. Lavdi e përjetshme Komandantit Legjendar të UÇK-së Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar ai.