Pas Floridës, edhe Karolina Jugore goditet nga uragani “Ian” - NACIONALE

Pas Floridës, edhe Karolina Jugore goditet nga uragani “Ian”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bregdeti i Karolinës Jugore të premten u godit drejtpërdrejt nga uragani “ian”, stuhi e fuqishme vdekjeprurëse që shkaktoi dëme të mëdha gjatë kalimit të mëhershëm nëpër Florida.

“Syri” i uraganit kaloi nëpër Georgetown, mes Myrtle Beach-it dhe qytetit historik, Charleston, pasi u fuqizua gjatë natës në Oqeanin Atlantik, raporton gazeta “The Guardian”.

Qendra Kombëtare e Uraganeve në Miami paralajmëroi për rrezikun e stuhisë me rrezik për jetën dhe erë të fuqishme uragani nga Karolina Veriore deri në verlindje të bregdetit të Floridës.

Në Florida, ndërkohë, numri i viktimave nga stuhia me erë prej 240 kilometrash në orë shkoi të paktën në 21 deri të premten në mëngjes, por pritet të rritet edhe më shumë, sipas Kevin Guthrie, drejtor i menaxhimit të emergjencave.

Zyrtarët kanë frikë se ky uragan do të përfundojë si fatkeqësia më e madhe natyrore në historinë e Floridës, pavarësisht të kaluarës me uragane nëpër shekuj.

Të premten në mbrëmje, parashikuesit e Qendrës Kombëtare të Uraganeve thanë se uragani “Ian” është dobësuar dhe është shndërruar në ciklon post-tropikal pas arritjes në Karolinën Jugore, por vazhdon rreziku për vërshime dhe erë.

Lajme të ngjashme